Skip to main content
Menyja

Wir vernetzen die Menschen noch stärker

StartHope@Home përkrah refugjatët si dhe emigrantet e emigrantët në Gjermani për hapjen e një biznesi në vendet prej nga vijnë. Të interesuarit këshillohen edhe gjatë kohës së krizës për shkak të pandemisë. Si funksionon ky këshillim ua shpjegojnë Katherine Kellein dhe Ziad El-Sabbagh. Ata janë trajnerë në landin e Bavarisë dhe të Nordrajn-Vestfalenit (Bayern, Nordrhein-Westfalen).  StartHope@Home është një program i agjencisë Social Impact, një agjenci për inovacione sociale. Kjo agjenturë është partnere në projektin „Perspektiva atdheu“ (Perspektive Heimat).

Si ka ndryshuar puna juaj gjatë pandemisë së koronës? 
Katherine Kellein (KK): Ne ofrojmë tani këshillime dhe trajnime online ose në telefon. Më parë pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit vinin kryesisht një herë në javë tek ne në Social Impact Lab për të marrë pjesë në trajnimet personale ose në aktivitetet në grupe. . 

Cilat janë sfidat e mënyrës së re të komunikimit? 
KK: Në strehimoret ku jetojnë pjesëmarrësit shpesh nuk ka WLAN. Kështu që mbetet i mundshëm vetëm trajnimi në telefon. Kjo mundësi nuk lejon që të punohet edhe aq mirë lidhur me përmbajtjen. P.sh. është e vështirë të bësh një kalkulacion në telefon. Për këtë arsye ne përpiqemi të gjejmë zgjidhje përmes krediteve në internetit ose përmes aksesit me hotspot.

Sa e rëndësishme është që pjesëmarrësit të kenë njohuri në aspektin digjital? 
KK: Ne përshtatemi, sepse ndryshimet janë shumë të mëdha. Shumë nga pjesëmarrësit nuk kanë një kompjuter. Përndryshe një pjesëmarrës irakian arritëm ta trajnojmë përmes një videokonference. Ai kishte një kompjuter dhe një adresë elektronike, dhe mund të shkarkonte programe online. Kësisoj ne mund të ndanim ekranin me të dhe të punonim intensivisht me njëri-tjetrin. Në rastin konkret bëhej fjalë për një shitore që ai do të hapë në Irak për riparimin e celularëve. . 

Ziad El-Sabbagh (ZE): Unë shikoj individualisht në çfarë pike ndodhet personi konkret. Sa kohë kemi në dispozicion dhe deri në ç’masë mund të mësojë ky person. Nganjëherë unë ndërmjetësoj vetëm kontakte të domosdoshme, p.sh lidhur me një specialiste ose një specialist në Qendrat për Këshillim në vendet e origjinës. Është e rëndësishme t’u tregosh pjesëmarrësve: në atdheun e tyre i presin njerëz që do t’i përkrahin më tej. 

Për një bashkëpunim të mirë është i rëndësishëm besimi. Si krijohet ky besim pa një kontakt të drejtpërdrejtë? 
KK: Kur je i ulur ballë për ballë me një person, mund të reagosh më mirë. Për t’i njohur njerëzit në ekran ose në telefon tani në kohën e pandemisë së koronës duhet të investosh më shumë kohë. 

ZE: Është i nevojshëm një ndryshim i mendësisë për të gjithë. Për të krijuar besueshmëri ne duhet të komunikojmë më shpesh me pjesëmarrësit, t’i kontaktojmë ata shpesh disa herë në javë, në mënyrë që të ngjallim besim.  Natyrisht që kalimi në këtë fazë të re ishte më i thjeshtë me personat që i njihnim qysh nga koha para krizës së koronës.

Si shkon puna me gjuhën? 
ZE: Nëse biseda nuk është e mundur në gjermanisht, atëherë ne flasim anglisht ose frëngjisht. Ne kemi edhe trajnerë që zotërojnë edhe gjuhë të tjera. Unë p.sh. këshilloj edhe në arabisht. Deri tani gjatë këshillimit online nuk kemi pasur nevojë për përkthyes. 

Keni mësuar diçka për kohën pas koronës? 
ZE: Ne po shohim që online janë të mundura shumë gjëra. Ne do ta vëmë në përdorim më shumë edhe në të ardhmen këtë rrugë. Lidhja në rrjet është shumë e rëndësishme. Tani ne bashkëpunojmë akoma më ngushtë me punonjëset dhe punonjësit për kthimin, të cilët kanë kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit nëpër kampe. Ata përkrahin shpesh vendosjen e kontaktit dhe organizojnë ndihmën teknike. Përveç kësaj ne i lidhim më fuqishëm me njëri-tjetrin  në rrjet njerëzit që këshillojmë, në mënyrë që ata të shkëmbejnë përvojën e tyre. 

Si kanë reaguar pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit karshi situatës së re të krijuar nga pandemia? 
ZE: Motivimi ka mbetur. Unë vërej që shtysa për t’u kthyer është bërë më e fuqishme. Me sa duket njerëzit bëhen më emocionalë dhe mendojnë më shumë për atdheun dhe familjet e tyre. 

KK: Ne vërejmë që disa njerëz janë shumë të çoroditur. Ata pyesin shpesh si do të jetë gjendja më tej, kur do të hapen kufijtë. Për ta është e vështirë që të marrin informacione të besueshme lidhur me vendet prej nga vijnë. Shpesh ata nuk e dinë si është situata në vendet e tyre dhe çfarë ndikimi ka kjo situatë për kthimin e tyre. Për këtë arsye ne përfshijmë në mënyrë më të fuqishme partnerët tanë në vendet e origjinës. 

„Për t’i njohur njerëzit në ekran ose në telefon tani në kohën e pandemisë së koronës duhet të investosh më shumë kohë.“

More blog posts