Skip to main content
Menyja

Besimi lind edhe virtualisht

Eine Frau guckt in die Kamera. Sie trägt eine Brille und ein pinkfarbenes Kleid.

Ernestina Adu është njëra nga këshilltaret e „Qendrës Gjermano-Ganeze për Punësim, Migracion dhe Riintegrim“(Ghanaisch-Deutsches Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration, GGC) në Accra. Në intervistë ajo tregon për punën e saj dhe ndikimin që ushtron pandemia e koronës.

Zonja Adu, cila është detyra e GGC-së?
Qendra informon për shanset në tregun ganez të punës dhe ofron ndihmë riintegruese në aspektin social dhe ekonomik për migrantet dhe migrantët që kthehen. Ne duam t’u japim ndihmën e nevojshme njerëzve që kanë jetuar për njëfarë kohe jashtë dhe tashmë dëshirojnë të punojnë përsëri apo të hapin një biznes në Ganë. Përveç kësaj ne këshillojmë edhe të rinjtë lidhur me mundësitë e shkollimit profesional në Ganë.

Si e ka ndryshuar pandemia e koronës punën tuaj?
Kriza ndikon fuqishëm në punën tonë. Normalisht në qendrën tonë vijnë çdo ditë rreth 20 persona që kërkojnë këshillim. Për shkak të pandemisë së koronës qysh prej datës 15 mars ne përqendrohemi më shumë në këshillimin virtual, sepse përkohësisht qendra është e mbyllur. Të gjitha këshilltaret dhe të gjithë këshilltarët punojnë nga shtëpia. Ne këshillojmë në telefon, por shfrytëzojmë për shembull edhe skype-in ose mundësi të tjera të këtij lloji për të kontaktuar njerëzit.

Sa njerëz në ditë këshilloni ju për momentin?
Çdo ditë unë flas me gjashtë deri në dhjetë persona, të cilët i drejtohen për herë të parë qendrës sonë. Përveç këtyre janë edhe personat që janë ndërkaq në këshillim prej një kohe të gjatë. Gjithsej unë bëj çdo ditë afërsisht 20 këshillime. Qendra na ofron një kapacitet të mjaftueshëm datash, kështu që këshillimi online nga ana teknike funksionon mirë.

Puna juaj ka si bazë një marrëdhënie të ngushtë besimi. A do të jetë e vështirë të krijohet ky besim nëse nuk keni mundësi ta keni përballë jush personin që këshilloni?
Besimi është me të vërtetë i rëndësishëm. Nëse dikush ka krijuar besim, atëherë ai ndjehet i lirë, mund të hapet dhe të flasë për problemet e tij. Për fat të mirë pjesa më e madhe e personave që kërkojnë këshillim dhe me të cilët ne flasim virtualisht na dhurojnë besimin e nevojshëm.

Sie e mbani gjallë kontaktin me partnerët tuaj të rrjetit social gjatë kohës së pandemisë?
Në fillim kjo gjë ishte pak e vështirë. Normalisht ne ofrojmë të paktën një herë në muaj një këshillim profesional pranë një shkolle të lartë dhe përveç kësaj edhe një kualifikim për personat që kanë ndërkohë një biznes. Për shkak të pandemisë këto aktivitete na u desh t’i anulonim. Përveç aktiviteteve të mësipërme ne organizojmë për personat e kthyer dhe të ashtuquajturat takime hand-holding, përmes të cilave u japim mundësinë këtyre të fundit që të njihen me njëri-tjetrin. Në takime të tilla ata mund të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe t’i japin guxim njëri-tjetrit. Edhe ky projekt për momentin është pezulluar. Por pastaj filluam të ofrojmë programe virtuale dhe ofrojmë çdo të mërkurë një shkëmbim direkt në facebook. Për korrikun kemi planifikuar panairin e parë virtual për karrierën dhe punësimin. Edhe programet tona kualifikuese për biznesmenet dhe biznesmenët së shpejti.

Pandemia e koronës ndikon fuqishëm në punën tonë. Ne përqendrohemi tani në këshillimin virtual.
Ernestina Adu