Skip to main content
Menyja

Biznesmen i shumanshëm

Pronari rri në këmbë përpara hyrjes së shitores së tij.

Biznesmen i shumanshëm

Unë quhem Shakir. Jam 45 vjeç dhe vij nga Sarai Alamgir, një qytet i vogël në distriktin pakistanez Gujrat. Jam i martuar dhe kam 5 fëmijë. Më parë kam punuar në ndërtim dhe fitoja mirë. Por doja një jetë më të mirë për familjen time. Për këtë arsye në vitin 2015 shkova në Gjermani. Atje kalova 5 vjet dhe punoja në një fermë për ndërzimin e viçave. Por së fundi nuk munda të duroja dot më që jetoja i ndarë nga familja ime. Kështu që në vitin 2020 vendosa të kthehem në Pakistan. 

Fillimisht shkova tek qendra këshilluese për kthim dhe deklarova që kisha nevojë për përkrahje në hapjen e një biznesi privat në Pakistan. Këshilltari për kthim më vendosi në kontakt përmes skype-it me grupin e punës së „Qendrës Këshilluese Gjermano-Pakistaneze për Punësim dhe Riintegrim“ (Pakistanisch-Deutsches Beratungszentrums für Jobvermittlung und Reintegration, PGFRC) në Lahore. Ne diskutuam idenë që kisha unë për hapjen e një shitoreje me mallra të ndryshme. Përveç ushqimeve unë doja të tregtoja edhe uniforma shkollore dhe artikuj kancelarikë. Këshilltaret dhe këshilltarët më vunë për këtë qëllim në dispozicion një listë me furnizuese dhe furnizues të mundshëm si dhe me objekte të përshtatshme që mund të merreshin me qira. 
 

Shakir shet në shitoren e tij artikuj të ndryshëm.

Trajnimi vendosi rregull në idenë time të biznesit 

„Organizata Ndërkombëtare për Emigracion, IOM“ organizoi kthimin tim në Pakistan dhe më përkrahu financiarisht përmes programit REAG/GARP (Reintegration and Emigration Program for Asylum-Seekers in Germany / Government Assisted Repatriation Program). Në shkurt të vitit 2021 u ktheva në Pakistan dhe fill pas kësaj shkova tek PGFRC-ja. Atje e bisedova idenë time hollësisht me këshilltaret dhe këshilltarët. Ata më rekomanduan ndër të tjera që të merrja pjesë në trajnimin „Business Development and Employability Skills Training“.

Trajnimi vendosi rregull në idenë time të biznesit. M’u bënë të qarta hapat e nevojshëm që duhej të ndërmerrja për të hapur biznesin tim. Përveç kësaj mësova se si mund ta drejtoj me sukses në mënyrë afatgjatë biznesin tim. Gjatë trajnimit mësova gjithashtu që është e rëndësishme të gjesh se cilat produkte janë më të kërkuarat në zonën ku vepron. Pasi hulumtova për këtë gjë vendosa që të tregtoj edhe këpucë për femra si dhe të blej një impiant për bluarjen e drithit. Në këtë mënyrë klientet dhe klientët mund ta bluajnë direkt në shitore drithin e blerë tek unë.

Hapja e dy shitoreve të tjera

Në qershor të vitit 2021 më në fund erdhi momenti i duhur: arrita të hap një shitore në qytetin tim të lindjes. Në zemër të Sarai Alamgir klientet dhe klientët mund të blejnë gjithçka që u nevojitet për jetën e përditshme. Ndërkohë jam duke punuar që ta zhvilloj më tej biznesin tim. Por kam filluar tashmë që të krijoj rrethin e klientëve të mi të përhershëm. Kam hapur gjithashtu edhe dy shitore të tjera për perime dhe uniforma shkollore.  

Ndikimet e pandemisë në ekonominë pakistaneze kanë pasur pasoja për xhiron. Por unë kam besim, që gjendja së shpejti do të përmirësohet. Përpara se të largohesha nga Gjermania, isha shumë i shqetësuar për faktin se çfarë do të më sillte e ardhmja në Pakistan. Por këshillimi dhe përkrahja nga PGFRC-ja më mundësuan që brenda një kohe të shkurtër pas kthimit të jem i pavarur ekonomikisht. Vazhdoj të jem në kontakt të rregullt me PGFRC-në. Grupi këshillues para pak kohësh më ndërmjetësoi kontaktin me Mojaz Foundation, një organizatë partnere e PGFRC-së. Kjo e fundit do të më përkrahë në blerjen e mallrave për biznesin tim. 

Sot unë e kam të qartë: me gjithë sfidat që dalin përpara – ka gjithmonë një rrugë. Përvoja ime është kjo: njeriu mund t’i bëjë realitet ëndrrat e tij me drejtimin e duhur, me përkushtim dhe angazhimin në punë.

Botuar më: 08/2021

Mundësitë e këshillimit të përshkruara këtu si dhe përkrahja ofrohen në kuadrin e programit "Perspektiva Atdheu".

Mësoni më shumë >
Ndërkohë jam duke punuar që ta zhvilloj më tej biznesin tim. Por kam filluar tashmë që të krijoj rrethin e klientëve të mi të përhershëm.
Shakir

Më shumë Përvojat