Organizata AWARD shoqëron veçanërisht gratë dhe të rinjtë që kthehen në Afganistan për të ndërtuar atje ekzistencën e tyre. Ajo është partnere e programit „Perspektiva Atdheu“, i cili drejtohet nga „Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim“ (Bundesministerium für wirtschaftliche Zusammenarbeit und Entwicklung, BMZ). Për këtë projekt organizata e mësipërme bashkëpunon ngushtë me „Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar“ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit), e cila e vë në jetë programin „Perspektiva Atdheu“.
Menaxheri i programit Hamid* shprehet lidhur me qëllimet dhe ofertat e organizatës „Afghan Women Association for Rehabilitation and Development“.
Cili është impulsi i punës së AWARD-it?
Puna jonë ka filluar qysh në vitin 1995. Gjatë kohës së luftës civile në Afganistan ne kemi dhënë ndihmë humanitare në një kamp refugjatësh në Masar-e-Sharif. Gjatë kësaj kohe vumë në dispozicion ushqime dhe ofruam kualifikime për gratë. Përkrahja e grave ka mbetur deri më sot një nga angazhimet tona më kryesore. Nuk është e pranueshme që të injorohet gjysma e popullsisë. Gratë në Afganistan vazhdojnë të mos merren seriozisht dhe zëri i tyre në shoqëri nuk merret parasysh. Ne i përfshijmë gratë në të gjitha fushat e punës sonë. Si organizatë ne ofrojmë hapësira, në të cilat ato mund të shprehen lirisht dhe të kenë dikë që i dëgjon.