Skip to main content
Menyja

Ndihma fillon qysh në aeroport

Hamid*, menaxher projekti pranë AWARD-it

Organizata AWARD shoqëron veçanërisht gratë dhe të rinjtë që kthehen në Afganistan për të ndërtuar atje ekzistencën e tyre. Ajo është partnere e programit „Perspektiva Atdheu“, i cili drejtohet nga „Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim“ (Bundesministerium für wirtschaftliche Zusammenarbeit und Entwicklung, BMZ). Për këtë projekt organizata e mësipërme bashkëpunon ngushtë me „Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar“ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit), e cila e vë në jetë programin „Perspektiva Atdheu“.  
Menaxheri i programit Hamid* shprehet lidhur me qëllimet dhe ofertat e organizatës „Afghan Women Association for Rehabilitation and Development“.

Cili është impulsi i punës së AWARD-it?
Puna jonë ka filluar qysh në vitin 1995. Gjatë kohës së luftës civile në Afganistan ne kemi dhënë ndihmë humanitare në një kamp refugjatësh në Masar-e-Sharif. Gjatë kësaj kohe vumë në dispozicion ushqime dhe ofruam kualifikime për gratë. Përkrahja e grave ka mbetur deri më sot një nga angazhimet tona më kryesore. Nuk është e pranueshme që të injorohet gjysma e popullsisë. Gratë në Afganistan vazhdojnë të mos merren seriozisht dhe zëri i tyre në shoqëri nuk merret parasysh. Ne i përfshijmë gratë në të gjitha fushat e punës sonë. Si organizatë ne ofrojmë hapësira, në të cilat ato mund të shprehen lirisht dhe të kenë dikë që i dëgjon.

Një trajnere e AWARD-it së bashku me pjesëmarrëset e një kualifikimi në rrobaqepësi

Çfarë roli luajnë kualifikimi dhe puna?
Stabiliteti financiar dhe pavarësia ekonomike janë thelbësore për ne. Për këtë arsye  AWARD-i u ofron burrave dhe grave shkollime në teori dhe praktikë. Në këtë mënyrë ata mund të marrin pjesë në rindërtimin e vendit të tyre. Programi ynë përfshin në tërësi fushat e shëndetësisë, arsimit, profesionit dhe karrierës, si dhe atë të prodhimit bujqësor. Për këtë qëllim ne bashkëpunojmë me “Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar” (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, GIZ) si dhe me organizata të tjera ndërkombëtare. Ne dëshirojmë që t’i aftësojmë për punë të gjitha gratë dhe të gjithë burrat në Afganistan dhe nuk bëjmë asnjë dallim për shkak të gjinisë apo prejardhjes.  

Si e krijoni komunikimin me personat që janë kthyer dhe çfarë u ofroni atyre konkretisht?
Ofertat tona u drejtohen para së gjithash personave të kthyer nga Gjermania. Ne i presim ata qysh në aeroport, u ndërmjetësojmë një strehim për ditët e para si dhe pajisje shtëpiake e para si fillim për qiranë e banimit dhe rinovime. Brenda pak muajve ne kemi mundur të përkrahim tashmë 144 persona të kthyer. Pjesa më e madhe janë djem të rinj nga 18 deri 26 vjeç. Oferta të tjera u bëjmë natyrisht edhe personave që kthehen nga vende të tjera të BE-së. Përveç kësaj ne përkrahim edhe personat e kthyer nga Pakistani dhe Irani, personat e dëbuar brenda Afganistanit si dhe vejushat e familjet, të cilat kanë humbur të afërmit e tyre përmes dhunës me motive politike.

Afganë të rinj në një kualifikim teknik që ofron AWARD-i

Çfarë mundësish për punë u ofroni ju personave të kthyer nga Gjermania dhe nga vendet e tjera të BE-së?

Ne ofrojmë një sërë shërbimesh që synojnë të përkrahin gjetjen e punës si dhe ndihmë për vetëndihmë: në kuadrin e një programi „Cash for work“ për shembull personat e kthyer punësohen për 40 ditë dhe në fund të çdo dite marrin pagesën e punës së bërë. Për këtë program ne bashkëpunojmë me administratën e qytetit në Kabul. Kjo administratë i punëson personat e kthyer në kopshtari, në ndërtim apo në sektorin e pastrimit për mirëmbajtjen e shkollave, parqeve dhe jetimoreve. Është i mundur edhe një kualifikim në sektorin e kontabilitetit në administratën e qytetit.

Në cilat fusha ofroni ju akoma shkollime profesionale?
Ne ofrojmë shkollime profesionale për riparimin e celularëve, për shtrimin e tubacioneve, në rrobaqepësi dhe në dizajnim. Për këtë bashkëpunojmë me firma afgane. Për shembull në prodhimin e tubacioneve të ujit bashkëpunojmë me firmën më të fuqishme në Afganistan. Ne ofrojmë shkollimin profesional për të interesuar në fushën e shtrimit të tubacioneve dhe ua prezantojmë këta persona firmës pas përfundimit të kualifikimit gjashtëmujor. Në këtë mënyrë ata kanë shanse të mira për t’u punësuar. Përveç kësaj ne u ofrojmë atyre vegla pune për kohën pas përfundimit të kualifikimit. Kësisoj pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit nuk hyjnë në borxhe për të blerë veglat e punës që u duhen për të punuar në profesion.

A ofroni këshillime edhe për hapjen e një biznesi privat?
Po. Kualifikimet janë konceptuar sipas direktivave të “Organizatës Ndërkombëtare të Punës” (Internationale Arbeitsorganisation, ILO). Sapo pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit kanë përpiluar së bashku me ne planin e biznesit dhe kanë përfunduar kualifikimin e tyre, ne u vëmë atyre në dispozicion një ndihmë fillestare për të vënë në jetë idenë e tyre të biznesit. Ne përkrahim për shembull biznesmenet dhe biznesmenët që janë duke u mëkëmbur në fushën e blegtorisë, të marketingut online ose të mësimit të gjuhëve të huaja. Përvoja jonë tregon që: Afganistani ka shumë potencial në fusha të ndryshme.

*Emri i ndryshuar

Botuar më: 04/2021

Ne dëshirojmë që t’i aftësojmë për punë të gjitha gratë dhe të gjithë burrat në Afganistan dhe nuk bëjmë asnjë dallim për shkak të gjinisë apo prejardhjes.
Hamid*