Skip to main content
Menyja

„Besimi është pasuria jonë më e madhe”

„Këshillimorja qendrore për kthim në Bavarinë e Jugut“ (Zentrale Rückkehrberatung Südbayern, ZRB) përkrah qysh prej vitit 2014 azilkërkues, refugjatë dhe të afërmit e tyre nga vendet e treta, të cilët janë duke u menduar për një kthim me vullnet të lirë nëpër vendet e tyre të origjinës. Enti përgjegjës me qendër në Augsburg ofron këshillim në katër pika të shpërndara në të gjithë Bavarinë. Markus Fiebiger, dreituesi i grupit të punës në „Këshillimoren qendrore për kthim në Bavarinë e Jugut“ pranë qendrës së Caritas-it në Myldorf (Mühldorf) tregon se si mund të parapërgatitet një riintegrim i suksesshëm.

Markus Fiebiger është drejtues i grupit të punës pranë „Këshillimores qendrore për kthim në Bavarinë e Jugut“ në qendrën e Caritas-it në Myldorf (Mühldorf).

Zoti Fiebiger, me çfarë temash vijnë klientet dhe klientët tek ju për t’u këshilluar lidhur me kthimin?
Markus Fiebiger: Tek ne vijnë njerëz, të cilët duan të kthehen në vendet e tyre të origjinës ose madje të tillë që janë të detyruar të kthehen, sepse kanë marrë një përgjigje negative. Gati një e treta e tyre kanë marrë ndërkohë një vendim – për shembull sepse u ka vdekur një njeri i afërm dhe kësisoj duhet të marrin përsipër përgjegjësinë për familjen ose për arsye të ndryshimit të situatës politike. Ka të tjerë të cilët pasi kanë kaluar vite të pajisur vetëm me një leje të përkohshme dhe me kufizime (Duldung) nuk shikojnë më asnjë perspektivë dhe kanë nevojë për përkrahje nga organizata për të organizuar kthimin e tyre. Çdo rast është i ndryshëm dhe duhet të vëzhgohet në mënyrë individuale. Ne i këshillojmë të gjithë në mënyrë të pavarur dhe objektive, u kushtojmë kohë dhe bisedojmë me personat që vijnë për këshillim jo vetëm gjendjen e tyre sociale dhe shëndetësore, por edhe atë ekonomike apo situatën që ka të bëjë me aspektin ligjor të qëndrimit. Parimisht për ne është e rëndësishme të ofrojmë orientim dhe të tregojmë mundësi të ndryshme. Këto mundësi nuk kanë të bëjnë detyrimisht vetëm me kthimin.

Markus Fiebiger (r.) dhe një person nga Senegali që dëshiron të kthehet.

Si i parapërgatisni ju njerëzit për një riintegrim në vendet e tyre të origjinës?
Duke qenë një organizatë bamirëse ne kemi në qendër të punës sonë njeriun, me të gjitha problemet e tij personale në një situatë të vështirë. Për shembull kemi këshilluar një nënë nga Ballkani që i rrit vetëm tre fëmijët e saj që kanë edhe probleme shëndetësore. Mundësia për ta përkrahur për shkak të situatës ligjore në të cilën ndodhej ajo do të kishte qenë shumë e kufizuar. Por në punën tonë ne u fokusuam shumë në aspektin e mirëqenies së fëmijëve dhe mundëm në këtë mënyrë të organizonim një përkujdesje sociale dhe mjekësore në vend për këtë familje. Punonjëset dhe punonjësit e qendrave shtetërore këshilluese për kthim jo rrallë ushtrojnë detyra edhe në fusha të tjera që kanë të bëjnë me veprimtarinë e autoriteteve për të huajt. Avantazhi ynë më i madh është, që ne mund të përqendrohemi vetëm në këshillimin lidhur me kthimin. Kësisoj ne kemi kohë dhe potencial të organizojmë kontakte regjionale dhe ndërkombëtare, por edhe të punojmë për t’i mbajtur gjallë ato. Ne bashkëpunojmë gjithashtu me „Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar“ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, GIZ GmbH), me programin europian për kthim dhe riintegrim ERRIN si dhe me shoqata që ndihmojnë vullnetarisht apo me organizata lokale joqeveritare.

Gjatë bisedës këshilluese.

Çfarë është e rëndësishme në bisedat me personat që duan të kthehen?
Një pjesë e madhe e punës sonë ka të bëjë me krijimin e besimit. Është e rëndësishme që personave që duan të kthehen t’u ndërmjetësosh që bisedat këshilluese nuk kanë asnjë pasojë negative për ta. I tillë ishte për shembull rasti i një të riu senegalez, i cili kishte ardhur në Gjermani me shpresën për të gjetur punë. Ai rridhte nga një familje e cila ishte marrë gjithë kohën me bujqësi, nuk kishte pothuajse fare shkollim dhe nuk kishte asnjë ide se çfarë perspektive mund të kishte në atdheun e tij. Në këtë rast bëhej fjalë që të përcaktohej se çfarë potenciali kishte ky njeri. Një Business Coaching i ofruar nga Social Impact dhe bisedat me këshilltarët e “Qendrës Gjermano-Senegaleze për Punësim, Emigracion dhe Riintegracion“ (Deutsch-Senegalesisches Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration, CSAEM) e ndihmuan atë më tej. Në të ardhmen ai do të punojë tokën e familjes së tij – përveç kësaj një shoqatë bamirëse mblodhi ndihma dhe u kujdes në këtë mënyrë për blerjen e pajisjeve të cilat do ta ndihmonin atë për një fillim të ri.

Çfarë roli luan bashkëpunimi me qendrat këshilluese të GIZ-it në vendet e origjinës?
Vetëm perspektiva që edhe pas kthimit ekziston një partner përgjegjës direkt në vendin e origjinës, krijon siguri. Në përgjithësi ne ndiejmë një pasiguri të madhe nga ana e personave që duan të kthehen dhe gjithashtu frikën se mos qëllimet e vendosura nga qendra jonë në lidhje me programet e përkrahjes për kthimin në fund mund të jenë vetëm premtime boshe. Për këtë arsye është e rëndësishme që ata të dinë, se edhe në vendet e tyre të origjinës ekzistojnë struktura, të cilat ofrojnë ndihmë dhe njerëz që mund të përkujdesen më tej për personat e kthyer. Edhe ne vazhdojmë të jemi të gatshëm për ta dhe angazhohemi menjëherë në momentin që shohim se diçka nuk shkon.

Si funksionon konkretisht përkujdesja transnacionale?
Në shumë raste ne organizojmë kontaktin me qendrat këshilluese në vend qysh përpara kthimit dhe sipas mundësive ekzistuese e planifikojmë punën e qendrave këshilluese në vend qysh gjatë parapërgatitjeve lidhur me masat për riintegrim. Bisedat zhvillohen online në praninë e këshilltareve dhe këshilltarëve të GIZ-it në vend dhe ne sqarojmë së bashku se me çfarë synimesh dhe nevojash kthehet në vend personi përkatës. Në një rrjet shoqëror me aktorë të ndryshëm në të dyja vendet shpesh mund të arrihet shumë.

A keni parasysh këtu një rast konkret?
Po, në rastin e një personi nga Nigeria, i cili donte të hapte patjetër një ofiçinë për makina, u angazhuan të gjithë pjesëmarrësit për të ofruar një paketë ndihme të menduar mirë. Ky burrë, në fillim të dyzetave, ishte analfabet dhe kishte punuar më parë pa shkollimin përkatës dhe pa certifikatë në ofiçina të ndryshme.

Duke rënë në ujdi në rrjetin shoqëror ai bëri një kurs alfabetizimi të shpejtë për më shumë se një gjysmë viti pranë “Qendrave Profesionale Kualifikuese të Ekonomisë Bavareze” (Berufliche Fortbildungszentren der Bayerischen Wirtschaft, bfz), zhvilloi një plan biznesi me Social Impact dhe pati mundësinë të bëjë një praktikë gjatë së cilës u njoh me të rejat aktuale lidhur me teknikën në ofiçinë si dhe me analizën elektronike të automjeteve. Një shoqatë bamirëse startoi më së fundi dhe një fushatë për ndihmë duke i siguruar kështu mjete financiare shtesë për pajisjen e ofiçinës së tij. Të gjitha proceset u ndërthurën me njëra-tjetrën pothuajse si në një rast tipik ideal. Për fat personi i mësipërm na kontaktoi herët, sepse një fazë parapërgatitore e rrumbullakosur në çdo drejtim natyrisht që kushton kohë.

A ia vlejti?
Absolutisht po. Sot ky person është i lidhur në krahinën e tij përmes mediave sociale me një person tjetër që është kthyer dhe është vetëpunësuar si saldator në farkëtarinë e tij, në të cilën ka punësuar dy punëtorë.  Personi në fjalë nga Nigeria është shumë i kënaqur me situatën e tij, por edhe u përpoq shumë për të arritur deri aty ku është tani! Më së fundi gjithçka varet nga personaliteti i njeriut. Ne u hapim perspektiva të reja personave që duan të kthehen – por varet nga motivacioni përkatës dhe iniciativa personale e tyre që këta njerëz t’i pranojnë këto oferta dhe t’i shfrytëzojnë ato me sukses.

Gjendja: 07/2021

Vetëm perspektiva që edhe pas kthimit ekziston një partner përgjegjës direkt në vendin e origjinës, krijon siguri.
Markus Fiebiger

Më shumë Përvojat