Skip to main content
Menyja

Ta shikosh njeriun në tërësi

2 Menschen schauen auf Papiere
Oussema Ben Younes gjatë një këshillimi online

Ta shikosh njeriun në tërësi

Ka ditë që Oussema shkon herët në mëngjes në plazhin Sidi Mansour në qytetin tunizian të Sfax-it. Ai hedh shikimin në det duke e shijuar dhe duke ndjerë dhimbje njëkohësisht gjatë këtij momenti. Sepse vendlindja e tij është kthyer në një hotspot për emigracionin ilegal. Prej këndej shumë njerëz marrin rrugën përmes detit për të kërkuar shanse të reja në Europë. „Ata nuk kanë asnjë ide se çfarë i pret atje dhe dinë tepër pak për mundësitë që mund t’u ofrohen këtu në Tunizi“, thotë Oussema. Si këshilltar i “Qendrës Gjermano-Tuniziane për Punësim, Emigracion dhe Rrintegrim” (Deutsch-Tunesisches Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration, CTA) ai jep kontributin e tij që kjo gjë të ndryshojë.  

Në CTA Oussema këshillon lidhur me tema të tilla si arsimimi profesional, punësimi dhe hapja e një biznesi privat duke kërkuar së bashku me personat që vijnë për këshillim zgjidhje individuale. Pika e kontaktit në Sfax u hap në shkurt të vitit 2020, por kohë më parë ekzistonte një qendër në kryeqytet, në Tunis. Qendrat drejtohen nga shoqata „Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH“. Ato janë pjesë e programit „Perspektiva atdheu“ i cili zbatohet me porosi të „Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim“ (Bundesministerium für wirtschaftliche Zusammenarbeit und Entwicklung, BMZ).

Hapja e pikës së kontaktit në Sfax përkoi me shpërthimin e pandemisë së koronës. Për këtë arsye pjesën më të madhe të kohës Oussema e kalon në telefon. „Nëse personi në fjalë është në një situatë shumë të vështirë, atëherë ne takohemi edhe për një bisedë drejtpërsëdrejti“, thotë këshilltari. „Në telefon ekziston rreziku, që diçka të mos kuptohet ashtu siç duhet.“ Bisedat personale natyrisht që zhvillohen duke iu përmbajtur të gjitha rregullave të higjienës.

„Të respektosh atë që njerëzit dinë të bëjnë”

Oussema kujton secilin nga personat që ka këshilluar. Një burrë i ri i ka mbetur veçanërisht në mendje: Ai kishte punuar në Tunizi për disa vjet me radhë si saldator në industri dhe donte të largohej medoemos në Gjermani, sepse mendonte që atje kishte shanse të mira. Por natyrisht ai nuk kishte kryer kurrë ndonjë arsimim profesional dhe për këtë arsye nuk kishte asnjë perspektivë për të punuar në profesionin e tij. Oussema e sqaroi atë me kujdes lidhur me këtë mungesë perspektive. Por megjithatë: “Ai ndjehej tepër i zhgënjyer dhe i humbur. Unë e ndjeva që ai kishte rënë pre në duart e kontrabandistëve”, kujton këshilltari. “U alarmova shumë kur më tha: “nëse nuk funksionon këtu, do ta provoj diku tjetër!”

Megjithatë ai s’mund ta kritikonte hapur këtë person që i kishte ardhur për këshillim, vijon Oussema. Ai nuk i tha kurrë p.sh “ke për të parë që do të dështosh, mos hip në varkë!”. Shumë më tepër ai u përpoq “të respektonte atë që mund të bënte ky njeri dhe ta motivonte që të ndërtonte diçka mbi këtë bazë.” Ai e ndjen veten më shumë se sa thjesht një këshilltar që bën vetëm punën e tij. “Unë shikoj gjithmonë njeriun në tërësi me të gjitha aftësitë dhe ankthet e tij.” Për këtë arsye bisedat këshilluese zgjasin nganjëherë shumë. “Nganjëherë njerëzit kanë nevojë për qetësi që të mund t’i rendisin mendimet e tyre dhe t’i lenë kohën e duhur gjërave. Nëse ata arrijnë vetë në përfundimin që plani i tyre nuk funksionon, atëherë unë mund ta kanalizoj bisedën në drejtim të alternativave që ata kanë në Tunizi.”

Të hartosh një plan konkret

Pikërisht në këtë mënyrë Oussema arriti t’ia kthejë mendjen saldatorit të ri dhe e ndërmjetësoi pranë “Agjencisë Tuniziane për Arsimim Profesional” (Tunesische Agentur für Berufsausbildung ATFP)”, e cila ndodhet vetëm disa metra larg nga CTA. I riu tunizian mund të kryejë atje brenda tre vjetësh një arsimim profesional. “Gjëja më e rëndësishme për mua është që kur personi që vjen për këshillim të largohet nga zyra ime të ketë përfytyrime të qarta për të ardhmen e tij profesionale dhe për jetën e tij në të ardhmen. Të ketë një jetë të përmbushur, që të mund t’i japë diçka shoqërisë ku jeton dhe të bëhet pjesë e kësaj shoqërie.”

Edhe një gruaje në fund të 30-ave nga Monastiri, Oussema i dha zemër që të regjistrohej pranë shumë organizatave partnere të GIZ-it në vend që të emigronte. Menaxherja me përvojë për financë dhe administratë kërkonte një rrugëzgjidhje për të dalë nga papunësia. “Ky këshillim në telefon zgjati vetëm 20 minuta. Kjo grua është e aftë intelektualisht dhe biseda qe e rrjedhshme e efektive. Fill pas bisedës ajo më dërgoi një lajm dhe më falënderoi”, tregon Oussema. “Unë nuk jam shpëtimtar, por unë mund ta ndryshoj përfytyrimin për emigracionin dhe të tregoj alternativa të ndryshme.”

Botuar më: 04/2021

Gjëja më e rëndësishme për mua është që, kur personi që vjen për këshillim, të largohet nga zyra ime me përfytyrime të qarta për të ardhmen e tij profesionale dhe për jetën e tij në të ardhmen.
Oussema

Më shumë postime në blog