Skip to main content
Menyja

Të planifikosh kthimin në kohën e pandemisë së koronës – pyetje dhe përgjigje

Kthimi në vendin e prejardhjes është i lidhur me shumë pyetje edhe kur ndodh në kushte normale. Pandemia e koronës sjell me vete pasiguri krejt të reja. Më poshtë keni mundësinë të merrni informacionet më të rëndësishme lidhur me këtë situatë të veçantë. Tetë pyetje dhe përgjigje.
 
1) A është e mundur që të kthehem në vendin prej nga vij edhe gjatë kohës së pandemisë së koronës?
Parimisht po. Përveç kësaj udhëtimet në disa vende për momentin janë të mundura vetëm në kushte të caktuara. Një pasqyrë lidhur me kushtet aktuale mund ta gjeni këtu. Nëse udhëtoni në një vend tjetër duhet të merrni parasysh kontrolle të përforcuara dhe testime shëndetësore. Eventualisht pasi të ktheheni mund të futeni në karantinë. Gjithsesi duhet të informoheni mirë më parë lidhur me gjendjen aktuale të kushtëzuar nga pandemia në vendin prej nga vini.

2) Ku mund të marr informacione lidhur me gjendjen në vendin prej nga vij?
Në këtë drejtim keni përkrahjen e „Qendrës Këshilluese“ në vendin tuaj të prejardhjes, e cila është një ofertë e „Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar”(Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH, shkurt: GIZ) me porosi të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (Bundesministeriums für wirtschaftliche Zusammenarbeit und Entwicklung, shkurt: BMZ). Të dhënat për të kontaktuar mund t’i gjeni, nëse jepni në faqen elektronike të Startfinder (Startfinder-Homepage) emrin e vendit prej nga vini. Lidhur me zhvillimin e pandemisë së koronës në vende të ndryshme ju informon dhe Ministria e Jashtme Gjermane (Auswärtiges Amt).

3) Nëse për momentin kthimi nuk është i mundur – a është e mundur që ta parapërgatis atë gjatë kësaj kohe?
Patjetër. Drejtohuni fillimisht pranë një Qendre Këshilluese që e keni pranë. Adresën mund ta gjeni në faqen e internetit „Returning from Germany“. Grupi këshillues do të bisedojë me ju lidhur me të gjitha mundësitë dhe perspektivat dhe do t’ia përcjellë të gjitha informacionet një këshilltareje ose këshilltari për riintegrim. Këshilltarja ose këshilltari do t’ju ndërmjetësojë pastaj kontaktin me qendrën këshilluese në vendin prej nga vini.

4) A janë qendrat këshilluese të hapura gjatë kohës së pandemisë?
Shumica e qendrave janë përkohësisht të mbyllura. Por këshillimi vijon të ofrohet dhe grupin e punës ju mund ta kontaktoni me telefon, e-mail ose skype. Këshilltaret dhe këshilltarët mund të zhvillojnë edhe në mënyrë virtuale një bisedë personale me ju. Një ide se si zhvillohet këshillimi gjatë kohës së pandemisë së koronës ju mund ta krijoni po të shtypni këtu. Gjatë një interviste një këshilltare nga Gana ju tregon për kushtet e reja në të cilat punon tani.

5) Çfarë pajisjesh digjitale duhet të kem unë, në mënyrë që të kem mundësinë për një këshillim online?
Natyrisht është ideale nëse keni një kompjuter dhe një akses të qëndrueshëm interneti. Kësisoj këshilltaret dhe këshilltarët mund t’ju ofrojnë ndihmën e tyre me video duke punuar me ju për shembull planet e biznesit ose kalkulacionet. Nganjëherë ekziston mundësia që juve t’ju ndërmjetësohen kredite për internet ose një kyçje me hotspot (WiFi). Nëse asnjëra prej këtyre mundësive nuk është e realizueshme, atëherë keni gjithmonë mundësinë e këshillimit në telefon.

6) Pandemia e koronës me siguri që do të ketë pasoja të rënda ekonomike për vendin nga i cili vij unë. A është gjithsesi realiste që të gjej një punësim ose të hap një aktivitet privat atje në një të ardhme të afërt?
Kjo gjë varet nga situata konkrete në vendin përkatës – dhe gjithashtu nga fakti se në cilën degë të ekonomisë dëshironi të veproni. Ndërkohë që turizmi dhe gastronomia do të vazhdojnë ta kenë të vështirë për një kohë të gjatë, për fusha të tilla si ajo e shëndetësisë ose e logjistikës së ushqimeve momentalisht po lindin mundësi të reja. Për ta çmuar situatën, është mirë t‘i drejtoheni qendrës këshilluese në vendin prej nga vini.

7) Unë jam i/e interesuar për hapjen e një biznesi privat, por për këtë hap me siguri që kam nevojë për një trajnim parapërgatitës në Gjermani. A zhvillohet për momentin një trajnim i tillë?  
Për momentin pothuajse nuk zhvillohen fare trajnime, gjatë të cilave grupe njerëzish të marrin pjesë fizikisht. Megjithatë puna e partnerëve të GIZ-it vijon më tej, në mënyrë që të interesuarit të parapërgatiten në Gjermani për kthimin e tyre. Këta partnerë ofrojnë trajnime dhe këshillime me telefon ose online. Për shembull specialistët e Social Impact StartHope@Home vazhdojnë t’i përkrahin ata persona që dëshirojnë hapjen e një biznesi privat – në raste konkrete sërish edhe me takime fizike të këshilltareve e këshilltarëve me personat që dëshirojnë të kthehen. Projekti Newplacement International i Entit për kualifikim profesional në sektorin ekonomik në landin e Baden-Vyrtembergut (Baden-Württemberg), (Bildungswerks der Baden-Württembergischen Wirtschaft) ofron paraprakisht këshillim digjital. Lidhur me ofertat e mëtejshme ju informon enti për kthim në bashkëpunim me këshilltarët për riintegrim pranë qendrave këshilluese në vendet prej nga vini.

8) Çfarë përvoje kanë grumbulluar persona të tjerë, të cilët planifikojnë kthimin e tyre gjatë kohës së pandemisë?
Këtu ju mund të lexoni historinë e një personi nga Gambia, i cili është duke përgatitur kthimin në atdheun e tij në kushtet e pandemisë së koronës. Për këtë gjë ai shfrytëzon oferta të ndryshme për këshillim dhe përkrahje.

Image copyright ©️ DPA

Botuar më: 07/2020

Më shumë Përvojat