Skip to main content
Menyja

„Kosova – një vend me shumë potencial për njerëzit e vet“

Lächelnde DIMAK-Leiterin Maria Kostomay schreibt auf einem Flipchart
Maria Kostomay është drejtuese pranë DIMAK-ut.

„Kosova – një vend me shumë potencial për njerëzit e vet“

Maria Kostomay drejton „Qendrën Gjermane të Informacionit për Emigracion, Aftësim Profesional dhe Karrierë“ (DIMAK) në Prishtinë. Në një intervistë të shkurtër ajo flet për punën që bën së bashku me kolegët e saj.

Si i përkrahni ju njerëzit që vijnë tek ju për t’u këshilluar?
Ne i këshillojmë klientet dhe klientët tanë në mënyrë krejt individuale lidhur me aftësimin profesional, vetëpunësimin ose etablimin në marrëdhënie pune. Ne dëshirojmë të përmirësojmë shanset e njerëzve në tregun e punës dhe të përkrahim personat që kthehen vullnetarisht për t’u integruar përsëri në Kosovë. Për këtë qëllim ne organizojmë për shembull panairet e punësimit dhe të karrierës, kurse për kualifikim të mëtejshëm profesional, përkujdesje dhe këshillim për personat që dëshirojnë të hapin një biznes, si dhe përkrahje psiko-sociale. Këshillimet tona zhvillohen si përmes një bisede personale, po ashtu edhe online. DIMAK-u përkrah kësisoj në të dy drejtimet – si njerëzit që për arsye nga më të ndryshmet dëshirojnë të shkojnë në Gjermani, për shembull për të studiuar, por para së gjithash po ashtu edhe personat që kthehen vullnetarisht.

Çfarë mundësish shikoni ju për momentin në Kosovë?
Kosova është një vend i bukur që ka dëshirë të shkojë përpara dhe që ofron shumë potencial zhvillimi për njerëzit e vet. Ky vend i ofron shanse të mira edhe personave që kthehen. Për shembull ekzistojnë shumë mundësi për t’u vetëpunësuar. Përveç kësaj edhe qeveria kosovare ofron programe përkrahëse për shembull në fushat e ndërtimit, bujqësisë, zejtarisë dhe shërbimeve shoqërore. GIZ-i bashkëpunon ngushtë me institucionet në vend për të përkrahur personat që kthehen.

Çfarë ju motivon në punën tuaj?
Nga përvoja e punës sime i njoh shumë problematikat që shkakton emigracioni. Pjesëtarët e një familjeje mund të ndahen nga njëri-tjetri, njerëzit ndjehen të izoluar. Për këtë arsye unë përpiqem t’u tregoj grave dhe burrave alternativa të mundshme. Unë jam e motivuar kur shikoj se si shkojnë në destinacionin e duhur ndihmat për personat e kthyer dhe për popullsinë lokale. Këto ndihma janë menduar që të ndihmojnë për një jetë më të mirë në Kosovë.

Stand: 12/2021

Më shumë postime në blog