Skip to main content
Menyja

Organizata "Lady" fuqizon vajzat dhe gratë në Kosovë

Sanije Murati nga organizata "Lady" pret me përzemërsi të madhe vajzat dhe gratë nga Kosova.

Organizata "Lady" fuqizon vajzat dhe gratë në Kosovë

Organizata joqeveritare (NGO) "Lady", si partnere e "Qendrës Gjermane të Informacionit për Migrim, Aftësim Profesional dhe Karrierë" (Deutsches Informationszentrum für Migration, Ausbildung und Karriere, DIMAK), kujdeset veçanërisht për vajzat dhe gratë në Kosovë.

Sanije Murati drejton grupin e punës së NGO "Lady" në Kosovë. Në intervistë ajo flet për ofertën dhe angazhimin lidhur me barazinë e shanseve.

Kë përkrah NGO "Lady"?

"Lady" ofron programe për të gjitha vajzat dhe gratë në Kosovë, pavarësisht nga statusi i tyre social apo prejardhja. Ofertat tona u drejtohen si grave dhe vajzave vendase, ashtu edhe atyre që kthehen. Por shërbimet e shumta dhe programet përqendrohen tek gratë dhe vajzat që kthehen. Ne i përkrahim ato në rrugën e tyre për t’u përshtatur përsëri me sukses nga ana ekonomike dhe kulturore në shoqëri.

Si mund të krijohet kontakti?

Kush dëshiron të informohet për NGO "Lady", për ofertat tona, dhe kërkon informacionet e kontaktit, ka dy mundësi: Të informohet përmes faqes elektronike-Startfinder ose përmes faqes sonë elektronike dhe përmes facebook-ut. Shumë prej pjesëmarrëseve tona të dikurshme u tregojnë gjithashtu shoqeve të tyre për programin. Vajzat dhe gratë na kontaktojnë me mail, telefon, përmes rrjeteve të ndryshme sociale ose vijnë direkt në qendër.

Çfarë shërbimesh ofrohen?

Qëllimi i organizatës "Lady" është të përmirësojë gjendjen e grave dhe vajzave në të gjitha situatat e jetës. Organizata përkrah gratë dhe vajzat, të cilat kanë pësuar dhunë dhe diskriminim. Përkrahje psikologjike dhe këshillime të tjera ofrohen konkretisht edhe në rastin e problemeve shëndetësore.

Gjatë trajnimeve gratë dhe vajzat mësojnë të gjitha gjërat e rëndësishme, për të cilat kanë nevojë gjatë zhvillimit të tyre personal dhe profesional. Kjo synon të përmirësojë aftësitë dhe kompetencat e tyre në fusha si krijimi dhe menaxhimi i një firme private, komunikimi, negocimet dhe zhvillimi i karrierës. Ne i trajnojmë gratë mirë për profesionin. Ne jemi krahas grave edhe nëse është fjala për kërkimin e një punësimi dhe i përkrahim ato në hartimin e CV-së dhe të aplikimit. Përveç kësaj ne realizojmë lidhjen përmes grave dhe punëdhënëseve/punëdhënësve të mundshme/mundshëm.

Cilat janë drejtimet e tjera kryesore?

Në aktivitetet publike ne takohemi rregullisht me eksperte/ekspertë nga fusha të ndryshme. Ne organizojmë aktivitete sociale dhe kulturore, panaire, prezantime dhe programe për zhvillimin e komunitetit.

Ndër detyrat tona janë gjithashtu sqarimi publik dhe puna me shtypin. Ne hulumtojmë në fushën e të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë, para së gjithash lidhur me tema të tilla si diskriminimi gjinor, dhuna në shtëpi dhe dhuna seksuale. Know-how i fituar në këtë mënyrë integrohet përsëri në përkrahjen konkrete që u ofrojmë grave.

Gratë në të gjitha situatat e jetës mund t’i drejtohen organizatës joqeveritare "Lady".

Pse është përkrahja për gratë kaq e rëndësishme?

Gratë duhet të kenë në të gjitha fushat e jetës të njëjtat shanse si burrat. Vetëm kur të kenë të njëjtat të drejta dhe shanse, gratë mund t’i shfrytëzojnë plotësisht mundësitë e tyre. Kjo nga ana tjetër kontribuon në zhvillimin dhe përmirësimin e shoqërisë. Prandaj janë të nevojshme oferta përkrahëse posaçërisht për gratë.

 

Si bashkëpunojnë "Lady" dhe DIMAK?

Grupi i punës së organizatës "Lady" analizon përmes përvojës së tij disavjeçare problemet e shoqërisë kosovare, para së gjithash ato të grave dhe vajzave. Grupi këshillues i DIMAK-ut bisedon për nevojat e grave në Kosovë me grupin e punës së organizatës "Lady" dhe bën përkatësisht propozimet për projekte të reja. DIMAK-u vë në dispozicion mjetet e nevojshme materiale dhe pajisjet për projektet. Pastaj ne kujdesemi për zbatimin.

Sanije Murati angazhohet për të drejtat e barabarta të grave në Kosovë.

A ju kujtohen raste të veçanta dhe histori suksesi?

Çdo ditë në organizatën "Lady" ne dëgjojmë histori për vajza dhe gra të forta. Në vitin 2022 për shembull kemi takuar një grua të jashtëzakonshme. Ajo kishte pësuar humbje të thella në familjen e saj dhe luftonte me një sëmundje të rëndë, por megjithatë nuk u dorëzua kurrë. "Çdo ditë në mëngjes herët shkoj për të bërë kemioterapinë dhe kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur nga spitali, që të marr pjesë në trajnimin e organizatës 'Lady' dhe të jem e pranishme aty", na tha ajo. Këto fjalë na frymëzojnë.

Organizata NGO "Lady" është e para dhe deri tani i vetmi vend që ofron këshillim për gratë në Kosovë – si u arrit deri këtu?

Historia e themelimit të organizatës "Lady" nis në fillim të viteve 2000, kur pas luftës nevoja ndjehej më së shumti. Para së gjithash gratë, të cilave u duhej të rrisnin fëmijët dhe të kujdeseshin për ta, kishin nevojë për përkrahje. Në vitin 2005 NGO u themelua zyrtarisht si një organizatë jo fitimprurëse dhe filloi të ofrojë shërbime të ndryshme për gratë në Kosovë. Ne i fuqizojmë gratë në atë mënyrë, që ato të mund të shfrytëzojnë mundësitë e tyre. Ne nuk ofrojmë ndihmë direkte financiare, por ndërmjetësojmë dhe këshillojmë.

Botuar më: 07/2023

Qëllimi i organizatës sonë 'Lady' në Kosovë është të përmirësojë gjendjen e grave dhe vajzave në të gjitha situatat e jetës.
Sanija Murati

Më shumë Përvojat