Skip to main content
Menyja
Samuel steht vor seinen Stoffen.
Samueli në një rrobaqepësi në vendlindjen e tij në Kumasi.

Pëlhura që shërben për fillime të reja

Samueli u largua nga Gana për të kërkuar një jetë më të mirë në Europë. Pas disa vitesh të vështirë ai tashmë është kthyer dhe dëshiron të ndërtojë një ekzistencë të re në atdheun e tij. Krijimin e një firme private për një punishte tezgjahu ai e ka planifikuar me kujdes qysh nga Gjermania.

 Stutgart, tetor 2020. Samueli nga Gana rri ulur në një tavolinë të mbushur plot me dokumente, ndërsa përballë tij rri i ulur Uemit Kepenek. Kepenek është një këshilltar për personat që duan të kthehen në „Grupin e Punës për këtë Botë” (Arbeitsgemeinschaft für die eine Welt, AGDW) dhe e ka shoqëruar Samuelin muajt e kaluar në shumë prej hapave të bërë. Samueli merr njërën nga letrat në dorë: sipër dallohet fjala „plan biznesi” e nënvizuar dukshëm. Samueli e ka konceptuar planin së bashku me një këshilltar tjetër – me Ismael Santos, këshilltarin e tij nga Social Impact. Ideja e Samuelit për të drejtuar një punishte personale tezgjahu ndërkohë ka marrë formë konkrete. Për një kohë fare të shkurtër 40-vjeçari do të kthehet në Ganë.

Gjatë gjithë procesit parapërgatitor ai ka përkrahje nga programi „Perspektiva Atdheu“ , program i financuar nga „Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim“ (Bundesministerium für wirtschaftliche Zusammenarbeit und Entwicklung, BMZ). Programi vihet në jetë nga „Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar“ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, GIZ). Këtij programi i përket edhe rrjeti i këshilltarëve për riintegrim në Gjermani, i cili përkrah me informacionet individuale dhe kontaktet personale të interesuarit që duan të kthehen në vendet e tyre. Përveç kësaj këshilltarja Annika Eberhardt në Stutgart ka vendosur shumë herët dhe e ka mbajtur gjallë kontaktin me ”Qendrën Gjermano-Ganeze për Punësim, Migracion dhe Riintegracion” (Ghanaisch-Deutsches Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration, GGC) në Ganë. GGC-ja është gjithashtu pjesë e programit „Perspektiva Atdheu“.

Samuel zurück in Ghana
Të shohësh përpara: Samueli e ka përgatitur mirë kthimin dhe fillimin rishtas.

Trajnim si multiplikator

Para kthimit Samueli ka marrë pjesë në një trajnim për personat që duan të hapin një aktivitet privat, organizuar nga ”Fondacioni i Arkës së Kursimeve” (Sparkassenstiftung). Si Partner i GIZ-it ky fondacion ofron trajnime të tilla në mënyrë që t’i parapërgatis për një fillim të suksesshëm në fushën e biznesit personat që janë të interesuar për t’u kthyer. Gjatë trajnimit Samueli u kualifikua edhe si multiplikator, kështu që në të ardhmen mund të këshillojë si networker njerëz të tjerë në Ganë dhe të jetë person kontakti për ta. „Samueli është shumë i motivuar“, thotë Annika Eberhardt. „Ai ka kompetencat e duhura që të ndërtojë me sukses ekzistencën e tij pas kthimit.“

Samueli ishte larguar nga Gana qysh në vitin 2010 – fillimisht në drejtim të Italisë. „Jeta atje nuk ishte aq e lehtë sa ç’e mendoja“, tregon ai sot. „Vërtet kisha leje pune, por nuk kishte punë. Rroga që merrja, kur gjeta punë në një restorant, nuk më mjaftonte as për të paguar të gjitha llogaritë.“ Në vitin 2017 Samueli u zhvendos në Gjermani, me shpresën se atje do të kishte perspektivë më të mirë profesionalisht. Por kjo shpresë nuk u përmbush.

„Vendosa të orientohem rishtaz“

„Arrita në përfundimin, që do të ishte më mirë të kthehesha në Ganë dhe atje të filloja përsëri nga e para“, tregon Samueli. Ai iu drejtua “Bashkimit Ganez” (Ghana-Union) në Stutgart, një shoqatë e diasporës, dhe përfitoi prej saj ndihmë për të blerë biletën e avionit. Për shkak të pandemisë së koronës Samueli nuk mundi të largohej nga Gjermania ashtu siç ishte planifikuar. „Kjo vonesë ishte fati im“, thotë Samueli. Sepse në këtë mënyrë përmes “Bashkimit Ganez” ai ra në kontakt me entin këshillues të AGDW-së për personat që duan të kthehen, duke përfituar këshillimin dhe duke marrë pjesë në trajnimin për personat që duan të hapin një aktivitet privat.

 

„Atje mësova shumë gjëra që me siguri do t’i vë në punë në firmën time“, thotë Samueli. Në punishten e tij të tezgjahut ai dëshiron para së gjithash të prodhojë pëlhurat kente. Ideja për to nuk i lindi në mënyrë të rastësishme. „Unë kam mësuar endjen e pëlhurave kente në Ganë, përpara se të merrja rrugën për në Europë.“ Në parim biznesi i tij tashmë ekziston: para se të emigronte Samueli ishte bashkëpronar i një punishteje tezgjahu. Me njohuritë e përfituara nga kualifikimet në Gjermani dhe këndvështrimin e ri profesional për gjërat - ai do të vazhdojë ta drejtojë tani punishten si pronar i vetëm.

Samuel und sein Berater sitzen auf einer Bank und unterhalten sich.
Samueli gjatë bisedës me një këshilltar të GGC-së.

Kontakt i rregullt me qendrën këshilluese në Accra

Nëntor 2020. Ka ardhur koha që Samueli të udhëtojë për në Ganë, ku e pret ndërkohë familja e tij. Në Accra ai takohet me një këshilltare të GGC-së. Me grupin këshillues të GGC-së ai kishte kontakt qysh nga Gjermania, gjatë kohës që përfitonte këshillim nga Social Impact. Kur shkon për herë të parë në qendër Samueli mban veshur një këmishë me motive. Pamja e tij është plot shpresë. Biseda me këshilltaren Ernestina Adu zgjat dy orë. Së bashku ata bisedojnë para së gjithash për kohën e vështirë që Samueli i kthyer e ka lënë pas. Do të zgjasë një farë kohe, derisa ai ta ketë kapërcyer shpirtërisht këtë periudhë.

Ernestina Adu-s i ka lënë shumë mbresë ambicja e lartë Samuelit dhe dëshiron ta përkrahë atë që të realizojë qëllimet që i ka vënë vetes. „Ne do ta shoqërojmë atë në rrugën që ka përpara dhe do t’i japim shpresë e frymëzim që të mund të përshtatet me lehtësi.” Pas kësaj bisede Samueli udhëton për në Kumasi dhe prej andej bën plane për punishten e tezgjahut që do të hapë aty.

Samuel webt einen bunten Stoff.
Të ecësh përpara mbi bazën e dijeve të mëparshme: Samueli dëshiron të drejtojë më tej një punishte tradicionale tezgjahu, tek e cila më parë ka qenë bashkëpronar.

Përvojë e gjatë dhe dije të reja

Ganë, janar 2021. „Ne jemi të sigurtë që ai do të ketë sukses“, ky është parashikimi i Ernestina Adu-s. „Sepse endja është një biznes që ai e njeh dhe e ka praktikuar edhe para se të largohej nga Gana.” Këshilltarja vë në dukje edhe trajnimet që Samueli ka bërë në Gjermani gjatë fazës parapërgatitore. „Unë jam e bindur që ai do ta vërë në përdorim dijen e përftuar për biznesin e tij.“

Samueli i jep të drejtë dhe tregon se ka filluar të lidhë kontakte në industrinë që merret me endjen e pëlhurave kente. Lëndën e parë ai mund ta sigurojë përmes rrjetit të kontakteve duke e shtyrë kështu përpara biznesin e tij. Samueli ndjehet i armatosur mirë për fillimin: „I kam vënë vetes si qëllim që për pesë vitet e ardhshme të bëhem një nga protagonistët më të mirë në endjen tradicionale të pëlhurave në Ganë.“

Unë kam mësuar shumë gjëra në Gjermani, të cilat me siguri do t’i vë në përdorim në firmën time.
Samuel

More blog posts