Skip to main content
Menyja

„Problemet e këtyre njerëzve janë edhe problemet e mia“

Eine Frau sitzt am Schreibtisch und telefoniert.
Tamara Vučenović në vendin e saj të punës pranë DIMAK-ut në Serbi.

Është ora 8.30 e mëngjesit në Beograd. Tamara Vučenović formon një numër telefoni dhe pret me durim që nga ana tjetër e linjës të përgjigjet dikush. Familja që ajo po merr në telefon është kthyer në Serbi mbrëmjen e kaluar. Prindërit dhe dy fëmijët kanë jetuar gjashtë muaj në Gjermani. Vučenović pyet në fillim si janë të gjithë, nëse janë çlodhur disi nga udhëtimi i gjatë. Ajo është këshilltare pranë „Qendrës Gjermane të Informacionit për Migracion, Aftësim Profesional dhe Karrierë“ (Deutsches Informationszentrum für Migration, Ausbildung und Karriere, DIMAK) në Serbi. Vučenović përkrah personat e kthyer që të gjejnë veten në atdheun e tyre dhe të ndërtojnë aty një perspektivë të re. Në grupin që synon të ndihmojë DIMAK-u bëjnë pjesë përveç personave të kthyer edhe popullsia lokale dhe ajo që është dëbuar nga krahina të ndryshme brenda Serbisë.

Si gjithmonë Vučenović e zhvillon bisedën me familjen e mësipërme këtë mëngjes me respekt, duke i konsideruar njerëzit me të cilët flet si të barabartë, në mënyrë të qartë e të kuptueshme në atë çka thotë.

Një listë e gjatë me detyra

„Unë ndiej një empati të thellë dhe dëshiroj t’u ndihmoj këtyre njerëzve“, thotë Vučenović. „Ata kanë shqetësime nga më të ndryshmet: disa kërkojnë punë, të tjerë nuk dinë se cili ent është përgjegjës për probleme të ndryshme. Kanë pyetje lidhur me përkrahjen sociale që përfitojnë, siguracionin mjekësor ose shkollat e fëmijëve.“ Vučenović e di shumë mirë se në cilën situatë mund të ndihmojë. Ajo i ndërmjetëson njerëzit tek personat e duhur përgjegjës.

Pas bisedës së parë me familjen Vučenović ka një listë të gjatë me detyra të cilat ajo dëshiron t’i zgjidhë javën e ardhshme deri në bisedën e dytë me familjen në fjalë. Vajza (15) dhe djali (16) e kanë të nevojshme të fillojnë shkollën shpejt. Vučenović do ta shmangë përsëritjen e vitit. Kështu që gjetja e një shkolle të re është ndër detyrat që ajo do të zgjidhë sa më parë. Njëlloj si familjen e mësipërme Vučenović i këshillon në mënyrë individuale të gjithë personat e kthyer. Për shkak të pandemisë së koronës grupi i punës së DIMAK-ut në Beograd i ofron shërbimet e tij momentalisht në telefon ose me messenger.

Seminar online për kërkimin e një pune

Pasdite Vučenović drejton një seminar online. Në të marrin pjesë afërsisht 20 burra dhe gra nga një fshat në jug të Serbisë. Ata kërkojnë punë ose dëshirojnë të riorientohen profesionalisht. Vučenović u shpjegon se çfarë mundësish për punësim mund t’u ofrojë ajo atyre. DIMAK-u bashkëpunon me firma të cilat kanë nevojë urgjente për punëtore dhe punëtorë, për shembull në bujqësi. Në ditët e ardhshme pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit në seminar do të mësojnë si të shkruajnë një CV. Në këtë hap ata do të kenë përkrahjen e një këshilltari, në mënyrë që të mund të formulojnë qëllimet e tyre për të ardhmen.

“Unë përpiqem t’u jap njerëzve një perspektivë”, thotë Vučenović. „Problemet e tyre janë edhe problemet e mia. Ne përpiqemi t’i zgjidhim ato së bashku.” Muaj më vonë ajo merr shpesh fotografi nga burra dhe gra të cilët i ka përkrahur. Pak kohë më parë për shembull ajo mori një fotografi nga Mile, një baba që i rrit vetëm tri fëmijët e tij. Falë këshillimit nga Vučenović ai arriti të hapë një firmë të vogël si zdrukthëtar.

Botuar më: 08/2020

Unë përpiqem t’u jap njerëzve një perspektivë.
Tamara Vučenović