Skip to main content
Menyja

Me forcat e veta

Eine Frau schreibt etwas auf ein Blatt Papier.

Me forcat e veta

Të ndihmosh gratë në nevojë dhe t’u japësh atyre forcë: Ky është qëllimi i organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Solwodi (Solidarity with Women in Distress). Si partner i GIZ-it Solwodi përkrah në Gjermani ato gra që janë duke menduar të kthehen në vendet prej nga vijnë. Në një kurs dyjavor pjesëmarrëset përgatiten për të hapur një biznes në vendet e tyre. Punonjësja sociale Antonina Reiners kujdeset për këto gra.

Zonja Reiners, kush e ndjek kursin për hapjen e një biznesi?
Pjesëmarrëset kanë një sfond krejt të ndryshëm nga njëra-tjetra. Ato janë nga mosha 20 deri në 60 vjeç, vijnë nga Nigeria, Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera. Edhe arsimimi që kanë kryer më parë është krejt i ndryshëm: midis tyre ka jo vetëm analfabete, por edhe gra që kanë ndjekur një shkollë të lartë. Disa prej tyre janë të detyruara të kthehen, të tjerat janë duke u menduar nëse dëshirojnë të kthehen në vendet prej nga vijnë. Ajo çka i bashkon këto gra është fakti që ato janë vetëm ose i rrisin fëmijët e tyre pa partner. Kurset kanë filluar qysh në fillimin e vitit 2019 dhe deri tani janë zhvilluar tetë kurse. Përkatësisht marrin pjesë maksimalisht gjashtë gra. Kështu ne mund të kujdesemi në mënyrën më të përshtatshme për to.

Çfarë mësojnë gratë?
Së bashku me “Shoqatën për Kualifikim të Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë” (Weiterbildungsgesellschaft der Industrie- und Handelskammer, IHK) në Bon/Rein-Sig (Bonn/Rhein-Sieg) ne kemi përmbledhur informacione rreth hapjes së një biznesi. Këto informacione përfshijnë qysh nga zhvillimi i një ideje biznesi, metodat e thjeshta të kontabilitetit e deri tek marketingu.  

A ka pasur pjesëmarrëse që kanë qenë të suksesshme në hapjen e një biznesi?
Po. Një pjesëmarrëse e dikurshme për shembull ka hapur një restorant në Peru, një tjetër ka hapur një shitore rrobaqepësie në Uganda. Ajo pret dhe shet rrobat që bën vetë si dhe pajisje për punë dore.

Ju e shoqëroni kursin si punonjëse sociale. Cila është detyra juaj?
Unë u ndihmoj grave për probleme të çdo natyre dhe ato mund të më telefonojnë në çdo kohë. Grave që nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë u ndihmoj më shumë gjatë kursit. Por gjëja më e rëndësishme është përkujdesja psikosociale: Kthimi është i lidhur me shqetësime dhe ankthe. Shumë gra nuk kanë më lidhje me njerëz të tjerë në atdheun e tyre, të tjera madje janë arratisur prej familjeve të tyre, për shembull për shkak të kërcënimit të një martese me detyrim. Disa gra kanë fëmijë, të cilët kanë lindur në Gjermani dhe pothuajse nuk e njohin fare vendin prej nga vijnë.

Për një grua që i rrit fëmijët pa partner është e vështirë të marrë dy javë të lira. Si e organizoni ju këtë gjë?
Para pandemisë së koronës kursi zhvillohej në Shën-Augustin, në Bon (Sankt Augustin, Bonn). Gratë dhe fëmijët e tyre merrnin strehim dhe ushqim në dhomat e mysafirëve të Steyler Missionare. Unë i prisja gratë në stacionin e trenit dhe i shoqëroja për në strehimin e tyre. Ishte menduar gjithashtu edhe për përkujdesjen e fëmijëve. Në këtë mënyrë u bë e mundur të shmangeshin shumë pengesa.

Çfarë ka ndryshuar lidhur me kursin për shkak të pandemisë së koronës?
Për momentin natyrisht që nuk mund të ofrojmë aktivitete me praninë e pjesëmarrëseve. Kjo gjë nuk do të kishte kuptim, sepse do të bëheshin bashkë gra që vijnë nga lande të ndryshme të republikës. Për këtë arsye kemi zhvilluar një seminar online, të cilin e kemi mbajtur për herë të parë.

Cila ishte përvoja juaj?
Dija e mirëfilltë mund të ndërmjetësohet online po aq mirë sa edhe gjatë mësimit me praninë e pjesëmarrëseve. Përveç kësaj e kemi zgjatur kursin në tri javë, por bëjmë vetëm tri orë mësim në ditë. Para kompjuterit nuk mund të përqendrohesh për një kohë të gjatë. Ndërkohë unë kam kontaktuar punonjëset sociale nëpër kampe, me qëllim që t’i përkrahin pjesëmarrëset për të pasur internet. Por mësimi nëpër kampe nuk është mësimi ideal. Atje ka zhurmë dhe jeta është e stresuar.

SOLWODI Erklärvideo

Ky link hap një video në YouTube. Ju lutem keni parasysh rregullat e privatësisë në fuqi.

Konfirmo

Si është përkrahja juaj si punonjëse sociale online?
Është e vështirë të krijosh besim pa një takim personal. Thjesht mungojnë bisedat e shumta përpos kursit. Në seminarin e parë online ne i kemi ndihmuar para së gjithash një gruaje analfabete që t’ia dalë mbanë kursit. Por parimisht mbetet si një qëllim i rëndësishëm që gratë të njohin pikat e tyre të forta dhe t’i shfrytëzojnë ato.

Si mund të ndikojë kjo gjë në hapjen e një biznesi të suksesshëm?
Gratë i nënvlerësojnë shpesh aftësitë e tyre. Prandaj një nga detyrat e mia është që t’i bëj ato të ndërgjegjshme sa të forta janë në të vërtetë. Një nënë, e cila përkujdeset me ndërgjegje për fëmijët e saj me gjithë kushtet e vështira, ka rezistencë, durim dhe ndjeshmëri – këto janë veti të rëndësishme edhe në komunikimin me klientët në firmën private. Gratë ndjehen më të sigurta në rrugën drejt vetëpunësimit nëse arrijnë ta kuptojnë këtë gjë. 

Image copyright ©️ Irina Ruppert/laif

Gratë i nënvlerësojnë shpesh aftësitë e tyre. Unë i bëj ato të ndërgjegjshme se sa të forta janë në të vërtetë.
Antonina Reiners

Më shumë postime në blog