Skip to main content
Menyja

Tani unë jam stilist mode dhe e kam lënë pas të kaluarën

Ky link hap një video në YouTube. Ju lutem keni parasysh rregullat e privatësisë në fuqi.

Konfirmo

Tani unë jam stilist mode dhe e kam lënë pas të kaluarën

Emri im është Frank, unë vij nga Nigeria. Pasi mbarova shkollën një burrë i premtoi nënës sime që të më çonte në Europë mua dhe motrën time. Ai do të na gjente punë atje dhe jeta e familjes sonë do të përmirësohej. Por udhëtimi gjoja për në Europë kaloi nëpër shkretëtirë për të përfunduar në Libi. Kishim rënë pre e kontrabandistëve të qenieve njerëzore.  

Në Libi na rrëmbyen dhe na ndanë nga njëri-tjetri. Gjashtë muaj me radhë kriminelët u përpoqën t’i bëjnë presion prindërve tanë për të paguar duke na mbajtur peng. Pasi e panë që ata nuk paguan, fillimisht më lanë mua të lirë. Unë vazhdova të rri edhe për dy vite të tjerë në Libi. Në Tripoli e nxirrja bukën e gojës duke larë makina. Por kjo nuk ishte jeta që doja të bëja. Një shok më tregoi që qeveria nigeriane u paguante fluturimin për t’u kthyer në atdhe njerëzve si puna ime. Kështu ndodhi që u ktheva në Nigeri.

Franku është duke marrë masat për të qepur një veshje me porosi.

Një firmë brenda familjes së bashku me motrën

Fillimi rishtas nuk ishte i lehtë. Fillova të bëj punë të vogla vetëm sa për të nxjerrë bukën e gojës. Ime motër, e cila ndërkohë gjithashtu ia kishte dalë të kthehej në Nigeri, më tregoi për “Qendrën Nigeriane për Punësim, Emigracion dhe Riintegracion” (Deutsch-Nigerianisches Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration, NGC). Ajo kishte ndjekur atje një kurs për rrobaqepësi.

Shkova tek kjo qendër për një këshillim. Duke qenë se moda më kishte interesuar gjithmonë vendosa gjithashtu që edhe unë të ndjek një kurs 12 javë me radhë për rrobaqepësi. Në kurs mësuam si të marrim masë dhe të punojmë me makinën qepëse. Më në fund motra dhe unë vendosëm të punojmë bashkë. Ne krijuam rrobaqepësinë me porosi „Murg Stitches“. NGC-ja na ndihmoi ta regjistronim firmën tonë. Ajo na mundësoi gjithashtu blerjen e makinave qepëse dhe të pajisjeve të tjera dhe na përkrahu për të bërë kërkesën e një ndihme lidhur me qiranë.

Franku ka gjetur punën që e mbush me gëzim

Motra ime qep rroba për gra dhe për bebe, kurse unë rroba për burra. Tani unë jam një stilist mode krenar. Pas kohës së kaluar në Libi një gjë e di mirë: Nuk ka asnjë vend tjetër në botë si atdheu yt. Këtu kam gjetur qetësinë shpirtërore dhe mund të zhvillohem më tej. I këshilloj të gjithë ata që e kërkojnë fatin gjetkë: mos ndërmerrni udhëtime ilegalisht. Atë që kërkoni e keni këtu në atdhe. Rinia është e ardhmja e Nigerisë. Shfrytëzoni mundësitë që kemi këtu. Së bashku do ta përmirësojmë jetën në atdheun tonë.

Gjendja: 07/2021

Mundësitë e këshillimit të përshkruara këtu si dhe përkrahja ofrohen në kuadrin e programit "Perspektiva Atdheu".

Mësoni më shumë >
Atë që kërkoni e keni këtu në atdhe. Rinia është e ardhmja e Nigerisë.
Frank

Më shumë Përvojat