Skip to main content
Menyja

Jetë e re me shitoren time të pëlhurave

Adnani ka hapur në Pakistan shitoren e tij të pëlhurave.

Jetë e re me shitoren time të pëlhurave

Unë quhem Adnan, jam 36 vjeç dhe vij nga qyteti Gujrat në provincën pakistaneze Punjab. Më parë kam punuar në një shitore për veshje. Në vitin 2010 vendosa të shkoj në Greqi për të kërkuar mundësi më të mira jetese. M’u desh të merrja një kredi për ta financuar këtë udhëtim. Në Greqi gjeta punë të ndryshme të rastit, por fitoja shumë pak dhe nuk mund ta laja kredinë e marrë. 

Në fund të vitit 2014 shkova në Gjermani për të nisur atje një fillim të ri, kurse në vitin 2019 vendosa të kthehem në Pakistan për të qenë pranë gruas sime. Zyra për të Huaj në Gjermani më ndërmjetësoi tek „Organizata Ndërkombëtare për Emigracion, IOM“. Kjo organizatë u kujdes për përgatitjen e kthimit dhe më ofroi ndihmë financiare përmes programit REAG/GARP (Reintegration and Emigration Program for Asylum-Seekers in Germany / Government Assisted Repatriation Program).

Pasi u ktheva në Pakistan i investova të gjitha kursimet e mia në një shitore: fillova të shes pëlhura për veshje grash. Duke qenë se çmimet e qirasë në Gujrat janë shumë të larta, vendosa të marr një lokal me qira në qytetin fqinj Jalalpur Jattan. Përvoja që kisha krijuar nga puna e mëparshme më dha dorë në pajisjen e shitores. 

Një trajnim me shumë këshilla praktike

Në fillim puna më eci shumë mirë. Por pastaj filloi pandemia e Covid-19. Qeverisë pakistaneze iu desh të vendoste lockdown-in dhe të ndërmerrte edhe masa të tjera të këtij lloji. Kjo gjë ndikoi shumë në xhiron që bënte shitorja ime. Për fat të mirë një shok më tregoi për “Qendrën Këshilluese Gjermano-Pakistaneze për Punësim dhe Riintegrim” (Pakistanisch-Deutsches Beratungszentrum für Jobvermittlung und Reintegration, PGFRC) në Lahore. 

Së bashku me gruan time, e cila më përkrah sot në marketing, ne shkuam tek kjo qendër dhe takuam atje një këshilltar. Ai na mori të dhënat dhe na regjistroi emrat në një trajnim për zhvillimin e biznesit. Trajnimi qe shumë informativ. Këshillat që morëm atje unë arrita direkt t’i vija në jetë në biznesin tim: para së gjithash nuk u dhashë më kredi klienteve dhe klientëve që kisha. 

Gjatë trajnimit mësova gjithashtu se sa i rëndësishëm është kontabiliteti – qysh kur kam bërë trajnimin kujdesem shumë për bilancin e biznesit tim. Një gjë tjetër që e mësova nga trajnimi: përkujdesja e mirë për klientet dhe klientët është vendimtare. Fillova të bëj më shumë përpjekje për të krijuar një raport të besueshëm me ta. Për të përmirësuar shërbimin e klientëve fillova të ofroj dhe një shërbim furnizimi. Kjo risi ndikoi gjithashtu pozitivisht në xhiron që bënim. 

Lëvruesi i shitores e ka zgjeruar biznesin e tij duke tregtuar pëlhura të paqëndisura.

Marrja me qira e një shitoreje të dytë

Përmes trajnimit më lindën ide të reja se si mund ta zhvilloja më tej biznesin tim: rastësisht u lirua një shitore përballë shitores sime dhe unë e mora me qira. Kisha mësuar ta çmoja konkurrencën në sektorin ku zhvilloja aktivitetin tregtar dhe të gjeja se ku ekzistonte mundësia për një kërkesë të paplotësuar të tregut. Vura re që në zonën ku banoja ofroheshin vetëm rroba të gatshme. Kështu që e zgjerova gamën e produkteve të mia edhe me pëlhura të paqëndisura për meshkuj. Në zonën ku banoj shitorja ime është e vetmja që ofron pëlhura të paprera dhe pa qëndisje, të tilla siç nevojiten për veshjen tradicionale pakistaneze. 

Pas trajnimit, së bashku me gruan filluam t’i tregtojmë produktet tona në whats-app. I ndamë punët: ime shoqe kujdeset për kontaktin me klientet, kurse unë bëj reklamën e pëlhurave tona tek klientët meshkuj. Por kemi edhe plane të tjera: duam të zhvillojmë sekuenca reklame në televizor si dhe marketingun përmes rrjeteve të tjera sociale. 

Përkrahja nga Mojaz Foundation

Gjatë një bisede tjetër këshilluese në PGFRC mësova për ekzistencën e Mojaz Fondation, e cila është një organizatë partnere e qendrës këshilluese. Një përfaqësues i Mojaz Fondation më kontaktoi dhe organizoi për mua një kualifikim 4 ditor lidhur me zhvillimin e firmës private. Në prill të vitit 2021 ai përpiloi së bashku me mua dhe me gruan time një plan për investime. Gjatë kualifikimit mësova si të bëj një analizë lidhur me nevojat që ka firma ime. Gjatë kësaj analize vura re edhe mundësitë e reja që kisha. Përveç kësaj fondacioni i mësipërm më jep edhe ndihmë materiale për biznesin tim. Fondacioni më vuri në dispozicion pëlhura të ndryshme, të cilat gjatë kohës së pandemisë nuk kisha mundësi t’i blija. 

Këshillimi i vazhdueshëm dhe përkrahja që përfituam nga PGFRC-ja na mundësuan mua dhe sime shoqeje që ta zhvillojmë dhe zgjerojmë me sukses biznesin tonë edhe gjatë kohës së pandemisë. Unë kam besim që me këtë përkrahje të vazhdueshme do t’i përballoj të gjitha sfidat. 

Gjendja: 08/2021

Mundësitë e këshillimit të përshkruara këtu si dhe përkrahja ofrohen në kuadrin e programit "Perspektiva Atdheu".

Mësoni më shumë >
Këshillimi i vazhdueshëm dhe përkrahja që përfituam nga PGFRC-ja na mundësuan mua dhe sime shoqeje që ta zhvillojmë dhe zgjerojmë me sukses biznesin tonë edhe gjatë kohës së pandemisë.
Adnan

Më shumë Përvojat