Skip to main content
Menyja

I suksesshëm me fast food

Waqas Hussain është i gëzuar, që ka mundur të ndërtojë ekzistencën e tij në Pakistan.

I suksesshëm me fast food

Unë quhem Waqas Hussain dhe jam 26 vjeç. Vij nga Butranwali, një qytet i vogël në provincën pakistaneze Punjab. Si djalë i ri jetoja së bashku me nënën dhe katër motrat e mia. Shkoja në shkollë dhe ndihmoja familjen time në punët e bujqësisë. Vëllai im i madh kishte shkuar në Greqi për të punuar dhe për të na dërguar para neve që ishim në shtëpi. Duke qenë se ne megjithatë kishim gjithmonë shumë pak për të jetuar, në vitin 2013 shkova në Turqi për të punuar. Një vit e kalova duke bërë punë të ndryshme, ndër të tjera në një treg peshku, pastaj shkova tek im vëlla në Greqi. Në vitin 2015 u largova prej andej për në Gjermani, sepse kërkoja një perspektivë të vërtetë për jetën time.

Në Gjermani gjeta punë në një restorant dhe njëkohësisht shpërndaja gazeta. Pastaj m’u sëmur nëna në Pakistan – kështu që në vitin 2019 vendosa të kthehem. Për fat disa shokë më këshilluan të kërkoj përkrahje për kthimin dhe riintegrimin. Vizitova një qendër këshilluese për kthim në Gjermani dhe atje më vunë në kontakt me “Qendrën Këshilluese Gjermano-Pakistaneze për Punësim dhe Riintegracion“ (Pakistanisch-Deutsches Beratungszentrums für Jobvermittlung und Reintegration, PGFRC) në Lahore.

Pronari i ri pas banakut të restorantit të tij.

Isha duke u menduar që pas kthimit në Pakistan të hapja një restorant ose një bilardo në qytetin tim të lindjes. E bisedova këtë ide me këshilltarin tim pranë PGFRC-së. Ai më rekomandoi të shfrytëzoja përvojën që kisha dhe më këshilloi për hapjen e një restoranti. Përveç kësaj së bashku me grupin këshillues hartuam edhe një studim për mundësitë reale me qëllim që të analizonim nëse plani im kishte shanse për të pasur sukses.

Organizata ndërkombëtare për Emigracion (IOM) organizoi kthimin tim dhe unë përfitova ndihmë financiare përmes programit REAG/GARP (Reintegration and Emigration Program for Asylum-Seekers in Germany/Government Assisted Repatriation Program) si dhe përmes programit ERRIN, i cili përkrah krijimin e firmave private. Në dhjetor të vitit 2019 u ktheva në Pakistan.

Pronar restoranti dhe biznesmen: Waqas Hussain.

Në afërsi të një autostrade dhe të tregut më të rëndësishëm për Butranwali-n gjeta vendin perfekt për restorantin tim. Me përkrahjen financiare të IOM, me kursimet që kisha si dhe kreditë e marra nga im vëlla dhe shokët e mi e pajisa lokalin. Në restorantin tim fastfood ka gjithçka, prej hamburgerit e picës deri tek schawarma. Momentalisht kam punësuar tre persona me kohë të plotë.

Kisha shumë shpresa, por pastaj filloi pandemia e koronës. Pak pasi e kisha hapur restorantin qeveria shpalli një lockdown dhe unë duhej ta mbyllja restorantin. Kjo gjë erdhi krejt papritur dhe më krijoi shumë stres dhe ankthe. Pata vështirësi financiare dhe nuk doja t’i humbisja lokalin bashkë me punonjësit e mi. Kështu që vazhdova të paguaj më tej rrogat e tyre dhe qiranë e lokalit.

Gjatë kësaj kohe kisha kontakt të shpeshtë me PGFRC-në dhe aty ndoqa një trajnim për zhvillimin e firmave private. Seminari qe shumë informues dhe unë u njoha me rrugë të reja se si ta drejtoj restorantin tim edhe në kohë krize. Krijova një pikë furnizuese servisi. Përmes kësaj pune xhiroja ime madje u rrit.

Përveç kësaj hulumtova se cilat gatime ishin veçanërisht të kërkuara dhe vura re se shitja e picave nuk ia vlente aq shumë. Kështu që e shita furrën për pjekjen e picave dhe nisa bashkëpunimin me një piceri, në mënyrë që të vazhdoja t’i përmbushja porositë e klienteve të mia dhe klientëve të mi që porosisnin pica. Momentalisht jam duke ndërtuar një zgarë në restorantin tim. Mojaz Foundation, një organizatë partnere e PGFRC-së do të më përkrahë përveç kësaj materialisht, në mënyrë që të kompensoj humbjet e bëra gjatë pandemisë.

Përpara se të largohesha nga Gjermania, isha shumë i shqetësuar për faktin se çfarë do të sillte e ardhmja për mua dhe familjen time në Pakistan. Jam mirënjohës për përkrahjen që kam përfituar dhe vazhdoj të përfitoj nga PGFRC-ja. Me këshilltaret dhe këshilltarët e kësaj organizate vazhdoj të jem rregullisht në kontakt.

Gjendja: 07/2021

Mundësitë e këshillimit të përshkruara këtu si dhe përkrahja ofrohen në kuadrin e programit "Perspektiva Atdheu".

Mësoni më shumë >
Jam mirënjohës për përkrahjen që kam përfituar dhe vazhdoj të përfitoj.
Waqas Hussain

Më shumë Përvojat