Skip to main content
Menyja

Jam kthyer për të ndihmuar

David Yaw-Mensah Tette, drejtor i „Qendrës Gjermano-Ganeze për Punësim, Migracion dhe Riintegrim“ (Ghanaisch-Deutsches Zentrum für Jobs, Migration und Reintegration: MIAC) në Accra lidhur me punën e „Qendrës“ dhe motivacionin e tij personal.

Si i përkrahni ju dhe grupi juaj i punës njerëzit që kërkojnë këshillën tuaj?
David Mensah Tette: Grupi im i punës dëgjon së pari pyetjet dhe sfidat për të cilat tregojnë personat e kthyer. Përpara se të shpërthente pandemia Covid-19 ne zhvillonim biseda individuale këtu në „Qendër“, por tani ofrojmë  kryesisht këshillim digjital. Njerëzit na japin të dhënat, ne u bëjmë atyre pyetje lidhur me të dhënat e tyre dhe i këshillojmë ata mbi këtë bazë në telefon ose në skype. Fokusimi i punës sonë përveçse në drejtim të personave të kthyer orientohet edhe në drejtim të të rinjve në Ganë. Gjatë këshillimeve që bëjmë, ne fillojmë me gjërat thelbësore. U japim njerëzve guxim për të filluar rishtas. Për shembull i furnizojmë ata me informacione, të cilat u ndihmojnë atyre për të hapur një firmë private.

Çfarë mundësish shikoni ju për momentin në Ganë?
Ekonomia e Ganës është në rritje me shumë shanse në të gjitha fushat. Mundësi ofrojnë para së gjithash firmat start-up, tregtia elektronike dhe aktualisht për shkak të pandemisë së koronës veçanërisht teknologjia e informacionit. Kjo e fundit ofron shanse të panumërta dhe në këtë mënyrë kanë gjetur punë në Ganë shumë specialistë të kësaj fushe. Shumica e njerëzve dhe e firmave shfrytëzojnë teknologjitë digjitale shumë më tepër gjatë kohës së pandemisë dhe i ofrojnë shërbimet e tyre online, ashtu si edhe ne. Përveç të tjerash edhe bujqësia është një fushë shumë premtuese. Ne përpiqemi t’u ndërmjetësojmë punë personave të kthyer. Ne besojmë që ia vlen të investosh në të gjitha fazat e prodhimit bujqësor. Kësisoj mund të lindin edhe punësime të reja. Edhe sektori i firmave të vogla dhe të mesme ka gjithashtu shumë potencial zhvillimi.

Çfarë ju motivon në punën tuaj?
Dashuria për vendin tim, dëshira dhe pasioni për të dhënë kontributin tim në rritjen dhe zhvillimin e Ganës – të gjitha këto më shtyjnë për të punuar. Unë jam arsimuar në Gjermani dhe jam kthyer për të ndihmuar.

Ne u japim njerëzve guxim për të filluar rishtas.
David Yaw-Mensah Tette

Më shumë Përvojat